VOLTER
"ZADIGU OSE FATI"
Kushtuar Sabos dhe Gencit

Parathënie
Volteri (Fransua Mari Aruet) lindi në vitin 1694 dhe vdiq në vitin 1778, dy javë pas pritjes triumfale që iu bë në qytetin e lindjes. Nga të 84 vitet e jetës së tij, mbi 50 i kaloi në mërgim, i dëbuar si i padëshërueshëm për shtetin monarkik francez. Sa kohë pati qëndruar në atdhe, dy herë u burgos në Bastijë për mendimet e lira dhe satirën fshikulluese kundër fisnikëve më në zë të kohës.
Volteri njihet si filozof, shkrimtar dhe figura qëndrore e iluminizmit francez të shekullit XVIII. Zëri i tij ishte më i fuqishmi në fushën e mendimit social dhe politik në Evropën e kohës. Ai ishte kundër tiranisë dhe për organizimin e shoqërisë mbi bazën e arsyes dhe të ligjit, armik i intolerancës, i fanatizmit. i obskurantizmit dhe mbrojtës i viktimave të përndjekjeve politike dhe fetare.
I pajisur me një zgjuarësi të jashtëzakonshme dhe talent të madh për të shkruar, Volteri lëvroi me sukses të gjitha gjinitë e letërsisë. Shkroi tragjedi në stilin neoklasik (Zaire, Muhameti, Meropi etj.), poezi epike (Henriada, Vajza e Orleanit), poezi satirike e deistike. Bashkëkohësit e quajtën tragjikun dhe poetin më të madh të kohës. Shkroi mjaft vepra filozofike, nga të cilat më të shquarat janë Letra për Kombin Anglez dhe Fjalori Enciklopedik. Në këtë të fundit parashtroi në mënyrë të përmbledhur të gjitha idetë e tij prej filozofi iluminist. Në prozë Volteri shkroi tregimet apo përrallat historike, sikundër i quajti ai. Ndërsa mjaft nga veprat e tij letrare i përkasin arkivit të letërsisë, tregimet filozofike, sidomos "Zadigu" (1747) dhe "Kandidi" (1759) lexohen me endje dhe ngjallin admirim midis lexuesve edhe sot e kësaj dite.
Tregimi "Zadigu ose Fati" është quajtur kështu sipas emrit të heroit kryesor, i cili e ka të caktuar nga fati të kalojë lloj-lloj peripecish: nga një njeri i zakonshëm bëhet kryeministër dhe pastaj shitet si skllav, nga mendimtar kthehet në shpatar e më në fund bëhet mbret. Sepse sikundër i thotë Zadigut engjëlli Jezrad, çdo gjë në këtë botë, duke përfshirë edhe jetën e njeriut, është e paracaktuar nga Providenca (Njerëzit mendojnë se ky fëmijë u mbyt duke rënë rastësisht në ujë, se po rastësisht u dogj shtëpia. Mirëpo nuk ka rastësi. Çdo gjë është ose provë, ose ndëshkim, ose kompesim, ose parashikim). Peripecitë, nëpër të cilat e kalon heroin, e lejojnë autorin të futet në të gjitha sferat e jetës dhe të japë gjykime për natyrën e rendin e gjërave në këtë botë. Nuk ka problem shoqëror që të mos preket, natyrisht si shkarazi, pa e larguar për asnjë çast vëmendjen nga zinxhiri i ngjarjeve të shumta që ndodhin me Zadigun. Flitet për ligjet që drejtojnë një shtet dhe si duhet të jenë ato sipas pikëpamjes së iluministëve "...ligjet janë krijuar për t'i mbrojtur qytetarët më shumë se sa për t'i trembur", thuhet në një vend. Ose në një vend tjetër, duke mbrojtur një parim të madh të drejtësisë, thuhet: "Më mirë rreziko të shpëtosh një fajtor, se sa të dënosh një të pafajshëm" . Flitet për tolerancën fetare. Qenia e Lartë, që drejton botën, sidoqë mund të quhet nga indusët, egjiptianët, budistët, brahmanët apo zoroastrianët, është një për të gjithë:... të gjithë jeni të një mendimi se ka një qenie të lartë, të cilës i nënshtrohen forma dhe materja ... dhe nuk ka arsye përse të ziheni, - u thotë Zadigu tregtarëve që grinden. Flitet për të mirën dhe të keqen (nuk ka asnjë të keqe që nuk sjell një të mirë), për njerëzit e mirë dhe të liq (Të liqtë janë gjithnjë fatkqinjë ... Ata shërbejnë për të provuar një numër të vogël njerëzish të mirë që janë të shpërndarë nëpër botë), për natyrën e gruas, për martesën etj.
Natyrisht, i gjithë tregimi është i trilluar. Jeta e një të riu evropian me pikëpamje iluministe është projektuar në shoqërinë e Babilonisë së vjetër. Por ngjarjet.tregohen me një humor dhe lehtësi vërtet mahnitëse, aq sa lexuexin padashur e tërheq kjo aventurë zbavitëse e heroit.
Volteri nuk lë t'i shpëtojë rasti kur vjen puna për të goditur me një sarkazëm therëse disa nga bashkëkohësit e tij intolerantë, fanatikë, shtypës të lirisë qytetare, të lirisë së mendimit dhe të fjalës, intrigantë, smirëzinj dhe injorantë.
Paralelizmi që lexuesi bën padashur me njerëz të tillë të kohës së tij është për të si një farë çlirimi shpirtëror dhe qetësimi mendor. Dhe ky është shërbimi më i mirë që mund të bëjë një libër.
Përkthyesi
New York, 1988